Baloteli: Dua të luaj me Francesko Tottin në kombëtare

Mario Baloteli është shumë i qetë gjatë këtij grumbullimi, koshient se me kalimin e ndeshjes po bëhet gjithmonë e më protagonist në kombëtaren italiane. Në pritje të eliminatores së nesërme kundër Maltës, sulmuesi i Milanit u është ofruar gazetarëve në zyrën e shtypit në “Koverçiano”, ku ka rrëfyer disa nga kujtimet e së kaluarës, emocionet aktuale dhe dëshirat në pritje të Botërorit 2014, por reagimi i tij i parë ka qenë për racizmin në Itali: “Më vjen keq, ose më saktë ky argument më bën të vjell, sepse nuk arrij ta kuptoj se si një popull si ky i yni mund të ketë kaq shumë urrejtje ndaj ngjyrës së lëkurës. Më vjen keq gjithashtu për faktin që nuk po e luftojmë siç duhet këtë argument, por shpresoj që pas Boatengut, të tjerë lojtarë të bëhen shembull dhe të mbledhin forcat kundër racizmit, – theksoi 22-vjeçari, që më pas ndalet te miqësorja e luajtur me Brazilin. – Kundër tyre ishte një ndeshje e bukur dhe nuk bëhem aspak pishman që humba disa raste goli, pasi tani mendoj vetëm që ato gabime t’i shlyej me Maltën. Kombëtarja të ofron diçka speciale, unë personalisht kështu ndihem sa herë që vij këtu. Dhe, nëse në muajt e fundit kam nisur të shtoj admirues dhe sa vij e kam më pak kritikë, për këtë fakt duhet të falënderoj vetëm kombëtaren italiane, e cila më ka dhënë rastin që të tregoj cilësitë e mia dhe të bashkoj tifozë që më urrejnë kur vesh një fanellë klubi. Ndjej se tani më duan pak më shumë të gjithë dhe të mendosh që kam shënuar vetëm pak gola deri tani. Gjithsesi, pranoj se në të kaluarën kam bërë edhe gabime, por ajo që nuk do përsërisja kurrë, do të ishte hedhja dhe shkelja e fanellës së Interit. Jam penduar për atë gjest, por unë jam impulsiv dhe realisht nuk kam sjellje të veçantë, sepse dua të tërheq vëmendjen e mediave apo diçka tjetër. Ëndrra e radhës? Të fitoj Botërorin me Italinë, pse jo me El Shaarawyn, por edhe me Tottin, të cilin ashtu si gjithë shokët e pres me krahë hapur në grup. Ai është një kampion i madh, nga i cili kam marrë shqelma si kundërshtar, por në një të ardhme të afërt e dua përkrah, që të fitojmë së bashku”.