Borussia e konfirmon: Gotze te Bayern Munchen

Pas lajmit të publikuar nga portali gjerman "Bild.de" mbi transferimin e Mario Gotze te Bayern Munchen para pak minutash ka ardhur edhe konfirmimi: Që prej 1 korrikut 21 vjwçari do të jetë futbollist i bavarezëve. Në faqen e saj zyrtare në internet Borussia Dortmund ka publikuar lajmin e largimit të talentit gjerman. "Mario nga 1 korriku do të transferohet te Bayern Munchen. Së bashku me trajnerin Klopp, Drejtorin Sportiv Zorc i kërkojmë tifozëve të mbështesin Mario Gotze-n në ndeshjet e fundit të sezonit e mbi të gjitha në gjysëmfinalen e rëndësishme të Champions League kundër Real Madrid", thuhet ndër të tjera në njoftimin e Borussia Dortmund. Ky lajm pritet të ndikojë disi te skuadra e Klopp duke ditur që nesër kanë përballjen e parë gjysëmfinale kundër Real Madrid, pasi Gotze ka qënë një prej pikave më të forta të "Kanarinave", por lajm i mirë për Guardiolën, që sezonin e ardhshëm do të ketë në skuadrën e tij një tjetër kampion.